Kryetari i komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj së bashku me nënkryetarin e komunës Ivan Ivanaj, nënkryetarin e Qeverisë së Malit të Zi, ministër i bujqësisë dhe zhvillimit rural, Millutin Simoviq si dhe me kryebashkiakun e Podgoricës Ivan Vukoviq, lëshuan sot në funksion ujësjellësin e sapondërtuar në Kojë, me vlerë prej 140 mijë euro.
Zgjidhja e problemit të furnizimit me ujë në zonat malore është vetëm vazhdimësi e aktiviteteve të përbashkëta, me qëllim të lehtësimit të jetës së banorëve në këto hapësira, është konstatuar gjatë këtij aktiviteti.
Kryetari i komunës së Tuzit,Nik Gjeloshaj, duke u shprehur i kënaqur me realizimin e këtij projekti, paralajmëroi se aktivitete të ngjashme në përmirësimin e infrastrukturës në trevat tona do të vazhdohën edhe në të ardhmen.
Ndërkaq, nënkryetari i Qeverisë, Simoviq, pohoi se Qeveria e Malit të Zi do të vazhdojë të përkrah realizimin e projekteve të këtilla në këto treva dhe njëkohësisht, po ashtu premtoi se do të angazhohet në përfundimin e rrugës për në Kojë.
Kryebashkiaku Vukoviq tha se duhet ta dëshmojmë që linja administrative në mes Komunës së Tuzit dhe asaj të Podgoricës nuk është kufir i ndarjes por i bashkimit.
“Fakti që aktualisht na ndan vija administrative nuk do të thotë asgjë, sepse shumë gjëra na bashkojnë dhe mendoj se pikërisht ujësjellësi i sapondërtuar simbolizon miqësinë tonë dhe të shoqërisë sonë në përgjithësi” u shpreh Vukoviq.